Këto enë bakri që përdoreshin për të shërbyer çaj ose pije të tjera jane prodhuar nga mjeshtrit e vjetër të Gjakovës rreth 100 vjet më parë. Megjithatë, bakërpunimi në territorin aktual të Kosovës është më i vjetër.
Minierat kanë ekzistuar në Mbretërinë e Dardanisë që nga kohërat parahistorike. Depozitat e pasura të xehes polimetalike ishin një faktor vendimtar për përfshirjen e rajonit qendror të Ballkanit në Imperium Romanum.
Minierat e Dardanisë e kanë furnizuar Romën me metale fisnike për prodhimin e monedhave dhe mallrave luksoze. Sondazhet e bëra në qytetin antik të Ulpianës, i themeluar në shekullin I pas Krishtit, kanë zbuluar një mori vendesh shkrirjeje dhe mbetje minerare.
Metalet (argjendi, ari dhe plumbi) nxirreshin dhe përpunoheshin në Dardani dhe eksportoheshin jashtë vendit, por përdoreshin edhe për prodhim vendas nga punishtet artizanale.
Bakërpunimi ka qenë një zanat i rëndësishëm në territorin e Kosovës sidomos në qytetet e Prizrenit dhe Gjakovës. Enët e bakrit prodhoheshin dhe dekoroheshin me dorë me gdhendje artistike. Këto enë përdoren edhe sot në kuzhinat tradicionale dhe si objekte dekorative.
Please select a language to see available guides.